Ata iu përgjigjën zërit për vetëvendosje kombëtare

07 shtator 2020 | 19:23

Hysen Bashota (1925 – 1995), Nikollë Shabanaj (1931 -1999) dhe Halil Maxharraj (1926 – 1998) ishin tre delegatë nga Klina, që morën pjesë në dy ngjarje: në shpalljen e Deklaratës Kushtetuese të Dy Korrikut 1990 dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të Shtatë Shtatorit 1990. Ata sot nuk janë më.

Në kujtesën më të re të brezave shqiptarë janë edhe dy data historike që sjellin çastin e madhërishëm drejt kurorëzimit të aspiratave liridashëse e të idealeve atdhetare. Ato dy data e dy ngjarje janë Dy Korriku dhe Shtatë Shtatori të vitit 1990 e që e kanë të veçantën e tyre. Ato ndodhën mu në kulmin e krizës së shthurjes së së Jugosllavisë dhe kur lëvizjet e reja shqiptare në Kosovë po merrnin hov, tek u shpallën Deklarata Kushtetuese dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Ky nder i ra Kuvendit të Kosovës, legjislatura e të cilit doli jo nga zgjedhjet e lira e pluraliste, por iu hapën rrugë atyre kërkesave gjithëkombtare për demokraci, liri e pavarësi: Por delegatët e këtij Kuvendi morën guximin dhe u shndërruan në Kuvend të Republikës së Kosovës, për ta çuar edhe për një hap kërkesën e vullnetin popullor të vetëvendosjes.

Kështu, pasoi një dekadë e rëndë, përplot ngjarje të rënda, tragjike e krenare. Mirëpo, ngjarjet kanë edhe protagonistët e tyre. Ishin në mesin e këtyre delegatëve edhe tre delegatë nga Klina: Hysen Bashota (1925-1995), Nikollë Shabanaj (1931-1999) dhe Halil Maxharraj (1926-1998). Edhe këta emra të thjeshtë delegatësh iu përgjigjën zërit të dëshirës popullore për vetëvendosje kombëtare, për liri e demokraci. Ky hap i mjaftoi kohës i shprehjes së këtij vullneti aq sa iu kërkuan, aq ata bënë. Por nuk i mjaftoi historisë. Prandaj, historia thirri në skenë jo vetëm kryengritjen paqësore, po edhe kryengritjen e armatosur të UÇK-së dhe ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s.

ISHTE PLAK I AUTORITETSHËM

Hysen Bashota lindi në Cerovik. Ishte më shumë plak autodidakt, dashamir i madh i arsimit dhe i dalë nga gjiri i një familjeje atdhetare. Ishte plak i autoritetshëm, që e deshi shumë arsimin dhe në momentet historike dijti si t’iu japë përkrahje proceseve historike e të veprojë në dobi të tyre. Për gjithë ata që kanë qenë dëshmitarë të atyre ngjarjeve, atë e përfytyrojnë si delegatin me .plis të bardhë ndërmjet delegatëve tjerë. Ai kishte autoritetin e pleqve të urtë, kurse fjala e tij kishte peshën e arsyes, do të thonë për te bashkëvendësit. Peshë të veçantë kishte aktiviteti i tij si plak i pajtimeve të gjaqeve e konflikteve, kur iu bashkua rinisë kosovare në fillim të viteve ’90.

LEXUES I PASIONUAR I LITERATURËS KOMBËTARE

Nikollë Shabanaj lindi në Krushevë të Vogël. Edhe ai, si xha Hyseni, ishte më shumë autodidakt. Duke mësuar nën ndikimin e mësuesit të njohur militant që veproi në rrethet e Zllakuqanit të Klinës gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Mësuesi Ndrecë ia kishte falur një abetare, ashtu si kishte vepruar me shumë fëmijë të asaj kohe… Mandej ka kryer filloren dhe shkollën e mesme të bujqësisë, shkëlqyeshëm, kurse më vonë ndoqi studimet në Shkollën e Lartë Komerciale. Ishte i njohur si drejtues i mirë i kooperativave bujqësore, tek punonte në shumë mese të komunave Klinë, Malishevë dhe Skënderaj. Ndërsa jo pak ish të përndjekur politikë flasin me respekt për qëndrimin e tij gjatë viteve ’70-’90. Duke qenë lexues i pasionuar i literaturës kombëtare (lexonte fshehurazi që në rini “Lahutën e Malcis” e literaturë tjetër), ai pati rënë në konflikt me autoritetet komuniste lokale gjatë viteve ’70. Edhe ai iu bashkëngjit dy ngjarjeve të njohura të larttheksuara. Për shumë vite, pas atyre ngjarjeve jetoi i strehuar në Slloveni, Kroaci, Zvicër e Maqedoni, së bashku me Halil Maxharrajn, një tjetër delegat i kësaj ane.

DASHAMIR I ARSIMIT DHE I PËRPARIMIT

Edhe Halil Maxharaj, i lindur në Gremnik të Klinës, pati nderin të jetë në këtë proces të rëndësishëm historik. Kishte angazhime me përgjegjësi në jetën shoqërore e politike të kohës. Ishte edhe ai deputet i legjislaturës së vitit 1990, duke iu bashkuar Jo-së së madhe kundër hegjemonizmit serb. Ishte dashamir i arsimit dhe i përparimit.

Që të tre vdiqën me dhembjen për Kosovën, për ta parë të lirë, por nuk e arritën. E megjithatë, ata nderohen në kujtesën e këtyre dy ngjarjeve. Pasi që artikulli është botuar në vitin 2001, pas këtij viti ndër të gjallët nuk janë edhe dy emra deputetësh: Bajram Buqani e Halit Kryeziu.

Ky artikull është shkruar nga Prend Buzhala në gazetën Rilindja.

Kujtesë shkrimesh personale (RILINDJA 7 SHTATOR 2001)

HOMAZH PËR TRE DELEGATË TË KUVENDIT TË KOSOVËS, TË LEGJISLATURËS SË VITIT 1990

Hysen Bashota (1925 – 1995), Nikollë Shabanaj (1931 -1999) dhe Halil Maxharraj (1926 – 1998) ishin tre delegatë nga Klina, që morën pjesë në dy ngjarje: në shpalljen e Deklaratës Kushtetuese të Dy Korrikut 1990 dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të Shtatë Shtatorit 1990. Ata sot nuk janë më, por janë në kujtesën tonë nacionale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, po thotë…