Ata që do të vdesin brenda dy-tre vjetësh, e kotë të shpëtohen
Në fillim gafa dhe më pas ndjesa e vonuar, pasi deklarata e tij shkaktoi zhurmë të madhe, kjo ka ndodhur me gazetarin Jort Kelder.
Ai kishte shkruar se duhet të peshoheshin interesat dhe ekonomia duhej vendosur e para, pasi shumë nga njerëzit që humbasin jetën kanë vuajtur edhe nga sëmundje të tjera.
“Po shpëtojmë 80-vjeçarët, obezët dhe duhanpirësit. Është mirë që të peshohen interesat, pasi kushedi sa dëm ekonomik do të sjellë shpëtimi i njerëzve që me siguri do të vdesin brenda dy vjetësh”, kishte shkruar gazetari.
Mesazhi i 55-vjeçarit holandez ngjalli polemika të shumta për shkak se Kelder është mik i afërt me kryeministrin Mark Rutte dhe ajo çka ai deklaronte, dukej edhe një qëndrim në hije i qeverisë.
Pas valës së kritikave, ai u mundua që ta riparojë gabimin duke shkruar: “Nuk po këshilloja të vriten të moshuarit dhe obezët, por le të përpiqemi t’u ndihmojmë, por duhet t’i kushtojmë vëmendje edhe ekonomisë. Mendojmë gjithnjë për shëndetin, por a jemi të sigurt se ka më shumë prioritet se ekonomia?”