Ata që s’i duan shtesat prej 100 eurove mund të heqin dorë, Murati tenton të bëjë humor me paratë e taksapaguesve
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kanë përgatitur një formular online për ata të cilët duan që vullnetarisht të heqin dorë nga shtesat e fundvitit për fëmijë e për pensionistë.
“Shtesat e fundvitit për fëmijë e për pensionistë janë mirëpritur nga shumë qytetarë. Por ka edhe prej atyre që deklarojnë se shtesat e tilla ata nuk do duhej t’i merrnin sepse nuk kanë nevojë. Për ta mundësuar heqjen nga lista e përfitimit të shtesës së njëhershme prej 100 euro për fëmijë e për pensionistë, kemi përgatitur formularin online ku secili që dëshiron vullnetarisht të heqë dorë, mund ta bëjë këtë për 2 minuta, duke plotësuar formularin në vijim: https://see.rks-gov.net”, ka shkruar Murati në “Facebook”.
Ndërkaq, në fund Murati tentoi t’i ngacmojë edhe “analistët dhe opozitën” duke sugjeruar që ky formular të ndahet edhe me ta.
“Jam i bindur që disa deputetë të opozitës dhe disa analistë do të jenë të parët që do ta plotësojnë. Andaj mos hezitoni ta ndani edhe me ta këtë formular”, ka shkruar Murati.