ATA QË SOLLËN LIRINË PO PAKOHEN ÇDO DITË
Shkruan: Teuta Haxhimusa-Çerkini
Që t’i ikë mbretërisë së kotësisë virtuale, e cila po përpinë jetërat tona, e mbylla Facebookun, një kohë!
Por mbyllja e kësaj dritareje, nuk i ndaloi lajmet e këqija. Ato prap depërtojnë thellë, godasin dhe na trishtojnë!
Rrapi e Ferri, dy luftëtarë elitarë ikën njëri-pas tjetrit, këtë shtator.
Pikëllimi i riktheu traumat dhe sëmboi plagët e vjetra, të humbjes së shokëve në beteja. Kjo dhimbje shkriu të kaluarën në të tashmën dhe u bë një oqean dhimbje, për secilin shok të mbetur të luftës!
Ata që sollën lirinë po pakohen çdo ditë, po vdesin parakohshëm, papritmas, apo ngadalë nga sëmundje të rënda. Vallë a do të mund të kishin jetuar edhe dy dekada tjera, sikur të mos i digjte brenda trauma e pabluar e luftës! A thua a do të kishin jetuar disa vite më shumë sikur mos t’i vrisnin padukshëm plumbat (e ngaçdoanshëm) në paqe.
Çdo ditë po pakësohen luftëtarët e lirisë!
Paqeja po i ha me gojën e saj të madhe që kutërbon qelbësirë të rrokakrejtshme!
Por….përkundër kësaj shëmtie efemere, e vërteta e kristaltë mbetet gjithëherë vlerë: LUFTËTARËT janë dhe gjithëherë mbesin margaritarë kombi! Ata nuk vdesin kurrë, se vepra e tyre, shpirti i tyre liridashës e human transcedon në përjetësi!
Ngushëllime familjarëve e bashkëluftëtarëve të Rrapit dhe Ferrit!
Lavdi heroizmit të tyre përjetësisht! 🙏🏻