Atalanta – Dortmund, spektakli transferohet në Itali
Atalanta dhe Borussia Dortmund, pas një ndeshje spekatkolare të zhvilluar në takimin e parë të luajtur në “Signal Iduna Park”, e vlefshme për 1/16-at e Evropa Ligë, do të përballen sonte (e enjte) në Itali për ndeshjen e kthimit.
“Verdhezinjtë” do të paraqiten në këtë sfidë me një gol avantazh pas fitores 3-2 të marrë në shtëpi. Atalanta mban vendin e tetë në renditjen e Serisë A, tri pikë larg zonës së Evropa Ligës dhe do të zbresë në fushë pas barazimit 1-1 të marrë në shtëpi kundër Fiorentinas të dielën e kaluar.
Ecuria e tyre në ndeshjet e fundit nuk ka qenë e mirë, duke parë se ata kanë marrë vetëm dy fitore në shtatë takimet e fundit që kanë luajtur në të gjitha kompeticionet: 2 fitore, 2 barazime, 3 humbje. Në konferencën për shtyp para kësaj ndeshjeje, trajneri Gasperini ka thënë: “Do të duhet të luajmë një ndeshje të përkryer. Kualifikimi në raundin pasardhës do të ishte fantastik”.
Përballë zikaltërve do të jetë një Dortmund që duket se është kthyer në rrugën e duhur pas pushimit të dimrit, duke marrë katër fitore dhe tri barazime në shtatë ndeshjet e fundit të luajtura në të gjitha kompeticionet dhe duke u ngjitur në vendin e dytë të Bundesligas, raporton “Telesport”. Atalanta ka shënuar gol në të gjitha shtatë ndeshjet që ka luajtur në këtë edicion të Evropa Ligës dhe mesatarja e golave të shënuar në ndeshjet e këtij sezoni është 3.29. Dortmundi nuk ka fituar asnjë nga gjashtë ndeshjet e fundit evropiane që ka luajtur në transfertë. “Verdhezinjtë” kanë regjistruar dy barazime dhe katër humbje.
Liga e Evropës
17:00 Lokomotiv M.-Nice
19:00 Atletico Madrid-Koebenhavn
19:00 Dynamo Kyiv-AEK Athens
19:00 Lazio-FC FCSB
19:00 Leipzig-Napoli
19:00 Sporting CP-FC Astana
19:00 Viktoria Plzen-Partizan Beograd
19:00 Villarreal-Lyon
19:00 Zenit-Celtic
21:05 Milan-Ludogorets R.
21:05 Arsenal-Oestersunds
21:05 Atalanta-Borussia Dortmund
21:05 Athletic Bilbao-Spartak M.
21:05 Braga-Marseille
21:05 Salzburg-Real S.