Atasheu francez i mbrojtjes në Kosovë nderohet me medalje për shërbim të shquar
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama kanë pritur sot në takim lamtumirës atasheun francez të mbrojtjes, kolonel Fabrice Duda, i cili ka përfunduar misionin e tij zyrtar në Kosovë.
Me këtë rast, ministri Mehaj dhe gjeneral Rama shprehën falënderimin dhe mirënjohjen për angazhimin e tij me përkushtim të lartë në funksion të fuqizimit të bashkëpunimit bilateral në mes Francës dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, kolonel Duda, ka shprehur kënaqësinë për përvojën e veçantë në këtë mision, përshtypjet e larta gjatë mandatit të tij si dhe admirimin e tij për të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Në fund, me motivacionin për shërbim të shquar dhe shërbim vetëmohues, ministri Mehaj dhe gjeneral Rama dekoruan me medalje kolonel Duda-n.