Atdheu bëhet duke i shërbyer jo duke e vënë në shërbim
Prof. Dr. Kudusi Lama gjeneral në pension
Maqedonia e Veriut është Maqedonia e Veriut. Çdo mendim, analizë, vlerësim, parashikim dhe përcaktim se ai shtet do të jetë bastion i këtij apo i atij është thjeshtë një mendim i gjetur diku midis rreshtave të shkrimeve të vjetruara. Askush nuk mund të bëjë asgjë të keqe në Maqedoninë e Veriut sa kohë që ai shtet është atdheu i shqiptarëve.
Është keq për ata që akoma lexojnë letrat e Titos, Milosheviçit e Gligorovit. Duhet të mësohemi me kohën e re që solli Lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare duke e demokratizuar, zhvilluar dhe qytetarizuar Maqedoninë e Veriut për të gjithë qytetarët e saj, për shqiptarët, sllavët dhe të tjerët që banojnë në ato territore.
Maqedonia e Veriut, shtet i qytetarëve të çliruar, nuk do të bëhet kurrë më shtet me shqiptarë të përjashtuar. Ky shtet prej vitit 2001 nuk mund të jetë më një vatër e ndikuar prej interesave të të tjerëve, por veç prej interesave të qytetarëve të vet.
Këtë e garantojnë shqiptarët të cilët nuk lejojnë të përdoret atdheu i tyre si tokë e askujt. Ka kaluar përfundimisht ajo kohë.
Sot në atë shtet shikohen shqiptarët si shtetbërës, jo si të shtypur nga shteti, siç ndodhte para Luftës Çlirimtare Kombëtare.
I futur në rrugën e gjerë drejtë organizatave ndërkombëtare siç janë NATO-ja, Bashkimi Europian e të tjera, është tregues se ky shtet nuk mund të jetë më lodër e askujt. Nuk është më një shtet ku duhet të nxiten e të shfrytëzohen tensione kombëtare, pasi është gjetur e vendosur një mekanizëm për të qenë secili në të drejtën e tij. E sado të investojnë ata që në kundërshtim me të drejtën e shqiptarëve, të sllavëve dhe të të tjerëve në këtë shtet të krijojnë tensione, do të jenë të dështuar, pikërisht se edhe nëse ka sllavë që bien në prehrin e të tilla agjendave, do të jenë shqiptarët të cilët nuk do ta lejojnë këtë dhe për këtë shqiptarët e kanë forcën e duhur.
Aktualisht në Maqedoninë e Veriut po shkohet drejtë ditës së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Uroj që shqiptarët të jenë serioz në këto zgjedhje, për të sjellë në udhëheqje njerëzit e provuar, jo njerëz anonimë që dalin nga hiçi vetëm duke e gjetur politikën si biznes.
E për mua të provuar janë ata që kanë dy karakteristika: Së pari, që kanë pasur guximin të marrin armët për të çliruar shqiptarët nga shtypja dhe përjashtimi në vendin e tyre prej sllavëve të instrumentalizuar nga mendësia fashiste e shtetit të gatshëm për t’i vrarë të gjithë si njerëz që nuk duhet të ishin aty ku ishin; Së dyti, që kanë bërë të gjitha përpjekjet për të zgjeruar hapësirat e pjesëmarrjes në qeverisje për të gjithë ata që kanë dhënë prova të aftësisë udhëheqëse, intelektuale, profesionale dhe atdhetare, pa e mbajtur rrethin e udhëheqjes vetëm brenda një shoqërie të instaluar që në periudhën e Luftës Çlirimtare Kombëtare.
Dhe këtë më duket se mjaftë mirë e ka paraqitur Bashkimi Demokratik për Integrim me Ali Ahmetin, që ka arritur të krijojë një hapësirë ku të gjithë të mund të paraqiten për të dhënë kontributin e vet për zhvillimin e vendit e rritjen e mirëqenies së qytetarëve, duke krijuar një atmosferë të qetë dhe të mirëkuptimin ndërqytetarë, që është me interes për të nesërmen e vetë qytetarëve, për të qenë të sigurt në të ardhmen e tyre.
Unë e di se perandoria sllave do të bëjë përpjekje të ketë ndikimin e saj dhe që ta arrij këtë do të përpiqet të copëzojë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Dhe ndoshta në momente të caktuara edhe mund të ketë sukses. Por shqiptarët tani e kanë njohur atdheun e tyre dhe atdheu përfundimisht i ka njohur dhe nuk mund të ketë më kurrë asnjë njeri a fuqi që e vë në dyshim a diskutim këtë çështje. Kam bindjen se tashmë ka kaluar koha kur sllavët e Ballkanit dhe serbët e mbështetësit e tyre mund të destabilizonin shqiptarët në vendin e tyre. Kjo ishte e mundur kur shqiptarët në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut ishin të pushtuar e të përjashtuar.
Ndërsa sot nëse gjendet ndonjë shqiptar që i kundërvihet atdheut të vet, ai duhet prej të gjithëve të tregohet me gisht. Të gjithë ta etiketojnë si një njeri që nuk ka vlera dhe ai nuk ka gjë çfarë t’u japë shqiptarëve, jo më armiqve të shqiptarëve. Dhe më interesant duket, se ngrihen pikërisht shqiptarë të tillë që janë pa identitet dhe që nuk kanë bërë kurrë asgjë për atdheun dhe marrin nëpër gojë e akuzojnë ata që kanë bërë luftë me pushkë në dorë për atdheun, dhe i akuzojnë se pikërisht këta po ua shesin atdheun atyre që vetëm kanë lindur në këtë atdhe e kanë ngrënë bukën e tij gjithë jetën. Kurse tani duke akuzuar luftëtarët mendojnë se do të mashtrojnë qytetarët që t’u grabisin pushtetin. Por për këtë, një pyetje e thjeshtë kërkon përgjigje: çfarë do të bëjnë me pushtetin ata që për atdheun kurrë nuk kanë bërë asgjë? Përgjigjen e kësaj pyetje besoj se duhet ta japin shqiptarët në Maqedoninë e veriut me votën e tyre.
Prandaj unë preferoj të besoj se luftëtarët do të jenë të fituarit, sepse shqiptarët dinë kush ua mbron interesat e kush ua shfrytëzon votën për të plotësuar interesat personale e klanore.
Por kam edhe një mesazh për të gjithë ata që po e copëtojnë votën e shqiptarëve, të mos vihen kundër interesave të shqiptarëve. Sepse po më duket se ky copëzim nuk ka sjellë argumente, përveç sloganit të njohur të të gjithë të pa merituarve se: unë jam më i mirë se ai.
Kështu që, duket se duhet parë që askush të mos vihet në shërbim të interesave të perandorisë sllave, për ta quar pushtetin në duart e atyre që bëjnë lojëra kundër Maqedonisë së Veriut e gjithë Ballkanit.
Këtu nuk ka më vend as për frikë, as për konflikt, as për kolaboracionizëm e as për qeveritarë kuisling. Në Maqedoninë e Veriut të gjithë janë në atdheun e tyre dhe duhet të tregojnë se janë ata që e bëjnë ligjin me votën e tyre për të mirën e zhvillimit të vendit e të jetës qytetare. Askush nuk duhet të marrë pushtet për t’u vënë në shërbim të fuqive sllave. Ndërsa shqiptarët duhet të gjejnë rrugën për t’i treguar gjithkujt se jo vetëm që janë popull shumicë në Maqedoninë e Veriut, por dinë edhe të krijojnë klimën e qeverisjes bashkëkohore për t’u bërë partnerë të shteteve të zhvilluara të Europës e më gjerë.