Atdheu dhe dashuria i bënë tok poetët dhe poeteshat në Prishtinë

14 shkurt 2025 | 18:04

Sot, në Ditën e të Dashuruarve, në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, në lagjen Dardania, me fillim nga ora 11:00, është organizuar ora poetike “Poezia na kosovoi”, duke marrë shkas nga një varg i poetit Azem Shkreli “Bari, s’është bari ynë”, shkruar në vitet ’80 të shekullit të kaluar.

Poetë të njohur shqiptarë, të gjinive e moshave të ndryshme, deklamuan vargjet për atdheun dhe dashurinë.

E pranishme në këtë aktivitet letrar ishte edhe drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, e cila deklamoi vargje nga një libër i vet.

Ndërkaq Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, në rrjetin social “Facebook”, lidhur me këtë ngjarje letrare, ka njoftuar: “I kishim zgjedhur ditë më parë autorët e të gjitha trevave të Kosovës, moshave e drejtimeve të ndryshme poetike e sot i kemi bërë bashkë për të deklamuar dhe shijuar poezi të shkruara së voni, por edhe dekada më parë. Së paku, kështu shpreheshin poetët – mysafirë të bibliotekës ‘Hivzi Sulejmani’ në Prishtinë.

Të rritur me dashurinë për librin e bibliotekën, të gjithë mirëpritën festën tonë që në një takim letrar me poezi e para mikrofonit – aty këtu ndonjë intervistë, pakës humor e ndonjë dolli me verë, krijues e bibliotekistë të shenjonim 17 shkurtin në Ditën e të Dashuruarve.

Nga një poezi për Kosovën, tjetrën për dashurinë, vargjet e tyre i deklamuan poetët: Sali Bashota, Binak Kelmendi, Sibel Halimi, Ndue Ukaj, Leonora Lokaj, Naxhije Kastrati, Jeton Kelmendi, Xhemil Bytyçi, Naime Beqiraj dhe Hajriz Sejdiu”.

E drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, poete, në llogarinë personale në rrjetin social “Facebook”, për këtë ngjarje ka shkruar: “Letërsia është kumti i dashurisë, një urë që lidh zemrat përmes fjalës së shkruar. Në këtë frymë poetët u mblodhën së bashku në Bibliotekën ‘Hivzi Sulejmani’ për t’i lexuar vargjet e tyre dashurisë.  Në një atmosferë frymëzuese u ndanë krijimet e tyre, duke e bërë poezinë një rrëfim të paharrueshëm”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga 258 kuti të votimit të rregullta, shtatë me kusht…