Atdheu duhet edhe nga mërgimi
Shkruan: Luljeta Asani
Çështja e mërgimit dhe largimit nga Kosova është një brengë që na ka shqetësuar dhe përcjellë përherë ndër breza. Shumë atdhetarë, ndër gjenerata, u detyruan për të marrë këtë rrugë të padëshiruar, duke jetuar përherë me mall dhe shpresë për atdheun, familjen, miqtë, dashamirët e tokën ku ishin lindur. Një prej shkaqeve kryesore për largim nga atdheu e familja ishte përndjekja që u bëhej nga pushteti i kohës. Falangat e mirë organizuara serbe, të mbështetura edhe nga shumë shqipfolës, po kryenin spastrim etnik dhe krim ndaj njerëzimit në heshtje dhe “në emër të drejtësisë”, “socializmit” e “bashkëjetesës”.
Ky fat e ndoqi edhe atdhetarin, aktivistin, ushtarin e UÇK-së Sami Fejza nga Shala e Cërnushes së Mitrovicës. Mërgimtar që nga viti ‘91, kur e gjithë rinia shqiptare u nisën drejt rrugëve të Evropës. Në mërgim kishte dalë nga nevoja e “zori”, si thotë populli. Me t’u vendosur në kampet e atëhershme të azilit ishte aktivizuar në të gjitha organizimet që bënin mërgimtarët. Samiu ishte vendosur në Jülich të Gjermanisë prej nga ishte njohur me të gjithë mërgimtarët e klubet shqiptare, si në Jülich poashtu edhe në Düren. Ishte një përkrahës i Luftës Çlirimtare qysh nga fillimet e luftës në Kosovë. Samiun të gjithë e njohin si një djalë i sinqertë e me virtyte atdhetare. Organizator dhe pjesëmarrës i të gjitha organizimeve e tubimeve ku flitej shqip për kombin dhe atdheun. Organizator dhe pjesëmarrës në grumbullimin e fondeve për të ndihmuar popullin dhe UÇK-në në luftën e drejtë çlirimtare.
Gjithë ky aktivitet sikur nuk i mjaftoi, andaj organizoi miq, shokë e atdhetarë për t’u inkuadruar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U përgatitën moralisht e fizikisht për t’u përballur direkt me armikun shekullor dhe bashkë me shumë shokë, përfshirë Ragip Kukajn e Bislim Mehmetin, iu bashkuan radhëve të UÇK-së, në Operacionin Shigjeta. Të udhëhequr nga komandant Bilall Syla e Rrahim Bekteshi ishin pjesë e pandashme e thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar dhe i shumë betejave të përgjakshme që u zhvilluan gjithandej pjesës kufitare. Detyrat e ngarkuara nga komandantët i kreu me përgjegjësi të lartë dhe me dinjitet, duke shlyer kështu një pjesë të borxhit ndaj atdheut e kombit.
Menjëherë pas përfundimit të luftës iu kthye familjes duke startuar me punë në fushën e biznesit, me nivelizim. Për të filluar këtë biznes të vogël e ndihmuan shokët e luftës Gani Nuha e Ragip Kukaj, ndaj të cilëve Samiu ndjen respekt dhe u është shumë falënderues. Sot, Samiu vazhdon punën me biznesin e tij dhe përveç se mbanë familjen e tij ai u ofron ndihmë bashkatdhetarëve me biznesin e tij.
Sikur nuk i duket i mjaftueshëm kontributi që jep, andaj Samiu vazhdon edhe me një kontribut më të veçantë, që pakkush e ka menduar. Ai viziton firmat shqiptare gjithandej Gjermanisë dhe krijon lidhje të bizneseve të cilat po japin rezultate shumë të mira. Me këtë aktivitet Samiu ka filluar që nga viti 2009 dhe ka shtrirë aktivitetin e tij edhe nëpër vendet tjera në Evropë dhe si shprehet ai me modestinë e tij “dëshiroj t’i shohë të gjithë shqiptarët të bashkuar, kudo që gjenden dhe këtë aktivitet e ushtroj me dëshirë dhe vullnet, pa ndonjë kompensim apo përfitim material. Përfitimi im është ana shpirtërore, ngase kur arrij t’i bashkoj firmat shqiptare dhe të kenë bashkëpunim ndjehem sikur po ia bashkoj Shqipërisë trojet e ndara padrejtësisht”.
Respekti që ndjej ndaj Samiut më shtyri që të bëj një shkrim të shkurtër për të dhe ky shkrim përfaqëson edhe shumë të tjerë si Samiu që me punën, sakrificën e mundin që bëjnë japin një pasqyrë të ndritur për popullin e vendin. Andaj, rinia dhe të gjithë bashkatdhetarët tanë që jetojnë e veprojnë në mërgim ta marrin si shembull të cilin duhet ndjekur dhe ndihmuar në realizimin e aspiratave tona drejt realizimit të ëndrrës shekullore.