Atë që Putini ia bëri kundërshtarit Navalny, regjimi i Vuçiqit po ma bën mua
Persekutimi ndaj politikanit opozitar në Serbi, Nikola Sanduloviq, po vazhdon. Atij i ka shkuar një ftesë nga prokuroria e Nishit që nesër të paraqitet atje për të dhënë një deklaratë.
Si shkas i kësaj ftese u bë vendosja e luleve tek varrezat e familjes Jashari.
Menjëherë pas këtij akti njerëzor, Sanduloviq u maltretua në mënyra të ndryshme nga Serbia, si shenjë hakmarrjeje.
Por këto maltretime nuk po ndalet.
Me datë 22 të këtij muaji (nesër) Sanduloviq duhet të paraqitet në institucionet e drejtësisë në Nish për të dhënë sqarime rreth veprimit që bëri para një kohe tek varret e familjes Jashari, më saktësisht tek ai i Blerina Jasharit vajzës së vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
“Vazhdon persekutimi politik ndaj meje dhe politikës që drejtoj. Asnjëherë më parë në historinë e Serbisë nuk ka ndodhur që kryetari i një partie politike që shpreh qëndrime të ndryshme nga pushteti aktual të jetë arrestuar, rrahur dhe ndjekur penalisht. Milan Radoiçiq, krimineli i kërkuar nga Interpoli dhe terroristi i cili është përgjegjës për vdekjen e katër personave në fshatin Banjskë në territorin e Kosovës, është duke ecur i lirë në Serbi. Në të njëjtën kohë, e njëjta qeveri që e mbron dhe e mbështet, më akuzon rrejshëm, më rrëmben, më torturon dhe më rrah për vdekje, duke më akuzuar se jam ajo që përhap urrejtje fetare dhe kombëtare sepse kam vendosur lule në varrin e vajzës së vrarë shqiptare. Blerina Jashari e cila ishte vetëm 7 vjeçare”, ka shkruar Sanduloviq.
“Me këtë rast mora një ftesë që të vij në Nish më 22 maj 2024 në ora 10:00 për të dhënë deklaratë në prokurori publik lidhur me incidentin kur vendosa lule mbi varrin e një fëmije të pafajshëm, që në Serbi karakterizohet si vepër penale nga regjimi diktatorial dhe policia e tij sekrete. Në Serbi, njerëzit që duan paqen dhe pajtimin përfundimtar në rajon janë të frikësuar, rrahur, persekutuar dhe arrestuar, ndërsa kriminelët, terroristët dhe vrasësit që përhapin frikë dhe urrejtje në të gjithë rajonin inkurajohen dhe mbrohen. Gjithçka që Putini i bëri kundërshtarit të tij politik Navalny, regjimi i Aleksandër Vuçiqit po më bën të njëjtën gjë me mua!”, ka thënë ai.