Atentat në burgun e Peqinit, i burgosuri përjetë vret me armë të dënuarin tjetër

15 dhjetor 2023 | 21:36

Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur brenda ambienteve të burgut të sigurisë së lartë të Peqinit. I dënuari me burgim të përjetshëm, Sokol Mjacaj, gjatë kohës që ka qenë në ambientet e ajrimit, është afruar pranë dritares së qelisë ku ndodhej i dënuari Arben Lleshi dhe ka qëlluar tre herë ndaj tij.

Për shkak të distancës së afërt, plumbat e qitur nga pistoleta e Mjacajt e kanë goditur në qafë dhe gjoks të dënuarin Lleshi, i cili edhe pse mori ndihmën e parë mjekësore nuk u mbijetoi dot plagëve, duke ndërruar jetë. Në momentin e konfliktit me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta, ka mbetur i plagosur me armë zjarri edhe i dënuari tjetër, Indrit Shaqja.

Pas krimit, Sokol Mjacaj ka tentuar të mbajë peng punonjës të administratës së burgut të Peqinit, por ndërhyrja e forcave operacionale të Drejtorisë së Burgjeve, e pasuar edhe nga ato të forcave RENEA dhe Policisë së Elbasanit, e kanë neutralizuar dhe izoluar të dënuarin me burgim të përjetshëm Sokol Mjacaj.

Ky i fundit vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë, në tentativë për t’i grabitur. Përveç forcave të shumta policore, në vendngjarje ka mbërritur edhe prokurori i Elbasanit, i cili ka marrë në pyetje menjëherë të dënuarin Sokol Mjacaj, në lidhje me këtë ngjarje. Përveç arsyeve të konfliktit mes të dënuarve Mjacaj dhe viktimës Lleshi, një tjetër moment i paqartë është edhe fakti se si është futur brenda ambienteve të burgut arma e zjarrit që ka rënë në dorë të të dënuarit me burgim të përjetshëm, Sokol Mjacaj.

Gjithashtu, dy orë para publikimit të kësaj ngjarjeje, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja publikoi urdhërin që vendoste në regjimin 41 bis pikërisht të dënuarin Sokol Mjacaj. Por, ende nuk dihet nëse ky urdhër ka qenë për këtë ngjarje, e cila ka ndodhur më herët gjatë ditës dhe është bërë publike shumë orë më vonë, apo për informacione të tjera dhe administrata e burgut të Peqinit nuk ka mundur ta izolojë në kohë të dënuarin Mjacaj. A2cnn.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për herë të parë që nga anëtarësimi në UEFA, Kombëtarja…