Atentat në Tiranë, një i vdekur dhe një i plagosur
Një i vrarë dhe një i plagosur është bilanci i një atentati mafioz mbrëmjen e së dielës në kryeqytet.
Emiliano Boçi, 32 vjeç, u ekzekutua poshtë apartamentit të tij pranë godinës së policisë bashkiake, teksa po hipte në automjetin e tij “Range Rover” më targa gjermane.
Ai mori disa plumba në trup dhe ndërroi jetë rrugës për në spital ndërsa i plagosur në shpatull mbeti edhe shoku i tij që e shoqëronte, Melvin Disha, 27 vjeç.
Policia nisi menjëherë hetimet nga ku rezulton se viktima ka një të shkuar kriminale. Ai ka qenë i dënuar për tentativë vrasje dhe kishte 2 vjet që ishte liruar nga burgu. 32-vjeçari Boçi kohët e fundit kishte qëndruar dhe jashtë vendit, ku ka dyshime se është përfshirë në aktivitete të paligjshme, transmeton “TCh”.
Nga deklarimet e dëshmitarëve policia dyshon se autori atentatit ka përdorur një pistoletë me silenciator pasi në zonë nuk janë dëgjuar të shtëna.
Policia po heton edhe konflikte të tjera të viktimës pasi nuk përjashtohet mundësia e vrasjes për motivet e hakmarrjes apo ajo për shkak të pazareve të drogës. Po ashtu nuk përjashtohet mundësia e vrasjes me pagesë, ndërkohë që më shumë dritë pritet të hedhë dëshmia e personit që mbeti i plagosur, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.