Atentati/ Makina e prokurorit të plagosur në kanal, çfarë tha Rama për Arjan Ndojn
Prokurori Arjan Ndoj ka mbetur i plagosur në shkëmbimin e zjarrit që ndodhi sot në mbikalimin e Shkozetit në Durrës.
Dy prej personave të plagosur janë në gjendje më të rëndë. Dyshohet se shënjestër e atentatit ka qenë pikërisht prokurori Ndoj, i cili së fundi u bë ‘mollë sherri’ mes maxhorancës dhe opozitës. Prokurori Ndoj ishte ai që çoi pas hekurave ish-drejtorin e Kadastrës Liridon Pula. Ky i fundit u mor në mbrojtje nga zëvendës kryeministri Erion Braçe dhe nga kryeministri Edi Rama. Por Ndoj është i përfolur edhe për çështje të tjera.
Më 3 tetor, duke iu referuar Ndojit, kryeministri Edi Rama deklaroi në Kuvend se “një prokuror në Durrës bashkëpunon me bandat kriminale dhe shantazhon nëpunësit e shtetit”.
“Report Tv” mëson se prokurori Ndoj në momentin që është qëlluar në pritë ka qenë në makinë me dy persona të tjerë më precedentë penalë nga Shijaku. Njëri është Landi Muharremi nga Sukthi, ndërsa tjetri njihet si “Rumi” dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Durrësit. Ndërkohë që edhe prokurori ndodhet i plagosur në spital.