Atentati me dy të plagosur në “Don Bosko”, Policia shqiptare shkresë Kosovës: Makina e autorëve është futur nga Morina!
Policia e Shtetit i ka dërguar shkresë zyrtare homologëve në Kosovë dhe kërkon informacione në lidhje me makinën “Volkswagen Golf 5”, e cila u përdorë në atentatin e ndodhur në “Don Bosko” një javë më parë.
Nga breshëria e plumbave që u shkrehën drejt një lokali në këtë lagje të Tiranës, mbetën të plagosur shtetasit Kastriot Elezi dhe Ronaldo Metushi.
Sipas të dhënave të mbledhura nga grupi hetimor, mjeti i autorëve është futur në territorin shqiptar përmes Doganës së Morinës, në Kukës dhe më pas është sjell në Tiranë për t’u përdorur në këtë ngjarje kriminale.
Ndërkohë, edhe targat që u gjetën në makinën “Golf 5” kanë rezultuar se kanë qenë të vjedhura, por pronari i tyre nuk kishte bërë denoncim në polici.
Nga verifikimet, që në momentin e parë rezultoi se numri i shasisë së mjetit që u dogj në dalje të Tiranës menjëherë pas atentatit ndaj Kastriot Elezit dhe Ronaldo Metushit, nuk përputhej me mjetin që kishte targat. Ndaj, rezultoi se ato ishin të vjedhura.
Dyshimet janë se mjeti është blerë nga autorët e atentatit vetëm për këtë qëllim, por nuk përjashtohet edhe mundësia që mjeti të jetë shitur në mënyrë të rregullt dhe më pas siç ndodh në raste të tilla, targat i janë vendosur sa për të humbur gjurmët.