Atentati ndaj Donald Trump, drejtuesja e Shërbimit Sekret: Ne dështuam!
Shërbimi Sekret Amerikan “dështoi” në mbrojtjen e Donald Trump në sulmin e 13 korrikut gjatë një mitingu në Butler, Pensilvani. Kështu deklaroi drejtoresha e agjencisë federale amerikane, Kimberly Cheatle, në deklaratën për seancën dëgjimore para Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve.
“Misioni solemn i Shërbimit Sekret është të mbrojë liderët e kombit tonë. Ne dështuam më 13 korrik dhe unë marr përgjegjësinë e plotë për çdo gabim që lidhet me sigurinë”, tha Cheatle.
Më tej ajo u betua se incidente të kategorisë së atentatit ndaj ish-Presidentit nuk do të ndodhin më.
“Ne duhet të dimë se çfarë ndodhi dhe unë do të lëviz qiellin dhe tokën për të siguruar që një incident si ai i 13 korrikut të mos ndodhë më kurrë”, shtoi Cheatle.
Edhe pse kreu i komisionit parlamentar, James Comer, bëri thirrje për dorëheqjen e saj, Cheatle sërish konfirmoi se do të qëndrojë në detyrë.
“Shërbimi Sekret ka një mision me rrezik zero, por ai dështoi më 13 korrik dhe në ditët para tubimit të Trump. Përfundimi është se nën udhëheqjen e drejtoreshës Cheatle, ne po pyesim nëse dikush është i sigurt. As Presidenti Biden, as Zonja e Parë, as Shtëpia e Bardhë, as kandidatët presidencialë”, tha Comer teksa argumentonte kërkesën e tij për dorëheqjen e Cheatle.