‘Atentati ndaj luftëtarit të UÇK-së Qerim Kelmendi, goditje e rëndë ndaj lirisë së Kosovës’
Veprimtari Bardhyl Mahmuti përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se atentati ndaj luftëtarit të UÇK-së Qerim Kelmendi është goditje e rëndë ndaj lirisë së Kosovës.
“Të shpresojmë që ky rast të ndriçohet sa më shpejt dhe kriminelet të marrin dënimin e merituar! Lavdi veprës së Qerim Kelmendit!”, ka shkruar Bardhyl Mahmuti.
Sipas policisë, me datën 27.02.2020 rreth orës 01:27, Policia e Kosovës Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, është informuar se në fshatin Zahaq-Pejë, në një rrugë është duke u djegur një veturë.
“Me të marrë informatën njësitet e Stacionit Policor në Pejë kanë shkuar në vendngjarje, ku vërejtur një veturë e cila ishte përfshirë tërësisht nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë arritur njësitet e zjarrfikësve të cilët e kanë shuar në tërësi zjarrin. Gjatë kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar”, ka njoftuar Policia e Kosovës.