Atifete Jahjaga mungon në seancën lidhur me padinë për shpifje
Është mbajtur seanca dëgjimore në lidhje me padinë për shpifje ndaj ish-presidentes Atifete Jahjaga, njofton Klan Kosova.
Jahjaga ka munguar në seancë, ndërsa është përfaqësuar nga avokati i saj, Arianit Koci.
Kunetërit e Shyhrete Berishës, të mbijetuarës së masakrës nga Suhareka të vitit 1999 kanë paditur ish-Presidenten Jahjaga për shpifje.
Padia lidhet me deklaratën e Jahjagës se “Shyhrete Berisha është nxjerrë zhag nga shtëpia ku kishte jetuar me burrin dhe fëmijët e saj”.
Familja Berisha është tërhequr nga kërkesa për caktimin e masës së sigurisë, mirpo jo edhe nga padia ku ata kërkojnë 250 mijë euro dëmshpërblim nga Atifete Jahjaga, njofton Klan Kosova.
Avokati i Jahjagës, Koci, ka thënë se “padia është dorëzuar pas afatit të paraparë ligjor dhe si e tillë është dashur të hidhet poshtë menjëherë”.