Atiq thotë se nuk do japë dorëheqje edhe nëse dështon peticioni për largim
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq thotë se nuk e sheh dorëheqjen si opsion, edhe nëse dështon peticioni për largimin nga detyra të kryetarëve të komunave në veri.
Siç thotë ai, nëse do mbaheshin përsëri zgjedhje, vetëm do përsëritej situata prej fillimit.
“Jo. Është absurd edhe me i ik përgjegjësisë. Ne kur kemi kandiduar për kryetar komune, ne kemi pasur parasysh edhe rrethanat, edhe pozicionin për të cilin jemi duke synuar. Tash ku është logjika e kësaj të heqim dorë, edhe me i çu komunat prapë në zgjedhje, nëse nuk ka një përgatitje reale në terren, nëse nuk ka një gatishmëri prej qytetarëve të komunave përkatëse. Ajo veç do ta përsëriste situatën prej fillimit”, deklaroi ai në një lidhje direkte në “Ditari” në Tëvë 1.
Qeveria e Kosovës, në marrëveshjen e Bratislavës, ka shprehur përkushtimin për organizim të zgjedhjeve të reja në veri të vendit, por sipas tyre, shkuarja në zgjedhje përmes kërkesës së qytetarëve me anë të peticionit, është mënyra ligjore dhe më e mira.
BE dhe SHBA në anën tjetër kanë ripërsëritur thirrjet për zgjedhje të reja, si kusht i heqjes së disa masave të vendosura ndaj Kosovës, të cilën e bëjnë përgjegjëse për situatën e krijuar në veri të vendit në maj dhe qershor.