ATK-ja: 336.6 milionë euro të hyra për periudhën janar-shtator
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) përmes një komunikate për medie ka bërë me dije se po vazhdon performancen në bazë të zotimeve të cilat i ka përcaktuar për këtë vit dhe në përputhje me projeksionet e përcaktuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Deri më 30 shtator të këtij viti ATK-ja ka grumbulluar 75.5 për qind të të hyrave të përgjithshme vjetore apo shprehur në shifra 336.6 milionë euro.
“Se kemi një nivel shumë të mirë sa i përket realizimit të planit të të hyrave këtë e tregon edhe krahasimi mes periudhave nëse e krahasojmë periudhën janar-shtator 2018 me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi rritje për 32.8 milionë euro, ndërsa më shumë se plani kemi 9.6 milionë euro apo 2.9%”, është theksuar në komunikatë.
Sipas ATK-së, rezultat për rritjen e të hyrave janë avancimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve të cilat kanë lehtësuar në masë të madhe deklarimin dhe pagesën e tatimeve si dhe kanë ngritur nivelin e përmbushjes vullnetare.
Po ashtu këtu rol të rëndësishëm ka edhe pjesa e legjislacionit tatimor përmes së cilës bëhen përpjekje të vazhdueshme që të krijohet një infrastrukturë e mirë ligjore.
“Me kryerjen e detyrimeve tatimore, kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimimi me standarde të larta, mirëqenia shëndetësore dhe sociale, mbrojtja ligjore dhe siguria, si dhe infrastruktura e përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore. Motoja e përgjithshme e punës tonë vazhdon të qëndroj në krijimin e një mjedisi, i cili mbështet fuqimisht përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore nga ana e tatimpaguesve”, është thënë më tutje në komunikatën e ATK-së.
/Epoka e re/