ATK-ja çdo muaj tejkalon planin e të hyrave
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) vetëm për muajt janar – prill 2018 nga të hyrat e rregullta ka mbledhur 162.8 milionë euro.
“Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi rritje për 20.1 milionë euro apo 14.2 për qind. Ndërsa, në raport me planin janë mbledhur 9.4 milionë euro apo 6.1 për qind më shumë të hyra se plani i paraparë. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë arkëtuar mbi 51.5 milionë euro të hyra për Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK)”, është thënë në njoftimin e ATK-së.
Sipas ATK-së, kjo konfirmon se performanca e të hyrave vazhdimisht është duke u rritur, duke marrë parasysh përkushtimin e menaxhmentit të ATK-së në zbatimin e strategjisë 2015-2020, si dhe planeve operative të hartuara për këtë vit.
“Vlen të përmendet se përmbushja vullnetare është në nivel të kënaqshëm, marr parasysh edhe vizitat në terren të cilat realizohen, e që të cilat nuk kanë karakter vetëm përmbushës por edhe edukativ (edukimi i tatimpaguesve në kryerjen me kohë të obligimeve tatimore, në mënyrë që mos të bëhen preh e ndëshkimeve administrative)”, është bërë me dije në njoftimin e ATK-së.
/Epoka e re/