ATK-ja dhe ASK-ja nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

25 prill 2025 | 15:24

Administrata Tatimore e Kosovës dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës kanë nënshkruar të premten marrëveshje të mirëkuptimit, me qëllim të rregullimit dhe përcaktimit të procedurave për pranimin dhe shkëmbimin e të dhënave ndërmjet këtyre dy institucioneve. Kjo marrëveshje synon të mundësojë një bashkëpunim më të strukturuar dhe efikas në drejtim të përmirësimit të cilësisë së të dhënave statistikore në Republikën e Kosovës.

Qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është që ASK-ja, si institucion zyrtar përgjegjës për mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e statistikave zyrtare, të ketë qasje të rregullt dhe të sigurt në të dhënat administrative që mbledh ATK-ja. Këto të dhëna janë thelbësore për hartimin e statistikave të sakta dhe gjithëpërfshirëse, të cilat ndihmojnë në analizimin e zhvillimeve ekonomike dhe sociale në vend.

Të dyja palët, ATK-ja dhe ASK-ja, e konsiderojnë thelbësor krijimin dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim të shkëmbimit të informacionit statistik, avancimit të sistemeve të menaxhimit të të dhënave, dhe përmbushjes së interesave të përbashkëta institucionale. Marrëveshja përfshin gjithashtu aspekte që lidhen me sigurinë dhe konfidencialitetin e të dhënave, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet për mbrojtjen e të dhënave personale dhe institucionale.

Marrëveshja është nënshkruar nga drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj dhe drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës Avni Kastrati, të cilët ritheksuan përkushtimin e institucioneve që përfaqësojnë për të avancuar më tej bashkëpunimin ndërmjet tyre dhe për të kontribuar në ndërtimin e një sistemi të fuqishëm të statistikave zyrtare në vend.

Përmes këtij bashkëpunimi, pritet që të rritet efikasiteti në krijimin e statistikave zyrtare, të cilat janë bazë për planifikim të mirëfilltë, hartim të politikave publike dhe vlerësim të zhvillimeve në sektorë të ndryshëm të shoqërisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Pal Lekaj, ka reaguar ndaj…