ATK-ja dhe FMN-ja me plan konkret për modernizimin e mëtutjeshëm
Të martën është mbajtur takimi përmbyllës me përfaqësuesit e misionit të FMN-së, në të cilin është shpalosur plani i reformës së Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për periudhën 2019-2021.
Në këtë takim prezent ishin edhe përfaqësuesit e donatorëve të cilët mbështesin ATK-në.
Drejtori i ATK-së, Sakip Imeri, ka bërë me dije se aktivitetet e përbashkëta u kanë shërbyer që të njohin më mirë gjendjen e përgjithshme të përmbushjes tatimore, sfidat dhe pengesat, si dhe të caktojnë objektivat dhe prioritetet drejt funksionimit si një institucion modern, i avancuar, profesional dhe i krahasueshëm me administratat tatimore moderne.
“Në emër të ATK-së falënderoj FMN-në dhe gjithë donatorët për kontributin e dhënë në progresin tonë”, ka thënë Imeri.
Ai ka shtuar se bashkëpunimi dhe shfrytëzimi i përvojave dhe ekspertizave të eksperteve të FMN-së dhe institucioneve tjera ka sjell progres të vazhdueshëm në ATK.
/Epoka e re/