ATK-ja dhe Inspektorati i Punës arrijnë memorandum bashkëpunimi
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe Inspektorati i Punës (IP) kanë arritur memorandum bashkëpunimi, i cili ka për qëllim të mundësojë që ATK-ja dhe IP-ja të punojnë ngushtë së bashku për të përmirësuar përpjekjet institucionale për të trajtuar punën e padeklaruar përmes shkëmbimit më të mirë të të dhënave, informacionit, përvojave si dhe organizimit të aktiviteteve të përbashkëta.
Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë se ky memorandum bashkëpunimi është përpiluar mbi bazën e konsultimeve, diskutimeve dhe angazhimeve konkrete të marra nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe Inspektorati i Punës, në njohje të mundësive potenciale për përmirësimin e përpjekjeve institucionale për trajtimin e punës së padeklaruar në Kosovë nëpërmjet bashkëpunimit më të ngushtë, shkëmbimit të të dhënave në kohë reale ndërmjet dy institucioneve.
Ndërsa, kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, ka theksuar se memorandumi në fjalë është në funksion të ngritjes dhe lehtësimit të mëtutjeshëm të koordinimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional duke marrë për bazë faktin se puna e padeklaruar është një fenomen kompleks, që ndikohet nga ndërveprimi i faktorëve të ndryshëm ekonomik, social, institucional dhe kulturor dhe që trajtimi i shkaqeve dhe pasojave të punës së padeklaruar kërkon një qasje të balancuar, të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse ndërmjet dy institucioneve.