ATK-ja do t’i verifikojë mallrat pa origjinë
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se do t’i verifikojë mallrat pa origjinë, derisa ka me dije se secili nga tatimpaguesit duhet të dokumentojë të gjitha mallrat që nga koha e pranimit qoftë nga importimi, blerja, shkëmbimi apo edhe mënyra të tjera, derisa ato të shiten apo të jenë sistemuar.
“Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) rikujton të gjithë tatimpaguesit se në bazë të Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe procedurat, kërkohet dokumentimi i origjinës së mallit dhe në vazhdimësi do të përqendrohet pikërisht te tatimpaguesit, të cilët posedojnë mallra pa origjinë. Secili tatimpagues duhet të ofrojë dokumentacionin mbështetës, i cili arsyeton prejardhjen e mallit si në vendndodhjen, apo vendndodhjet e tatimpaguesit, ashtu edhe për mallrat në qarkullim jashtë vendndodhjes së tatimpaguesit”, ka njoftuar ATK-ja.
Përmes këtij njoftimi, ATK-ja ka inkurajuar të gjithë tatimpaguesit, që t’u përgjigjen detyrimeve tatimore, ngase me kryerjen e tyre, ata kontribuojnë direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenies shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore.