
ATK-ja: ‘Freelancer’, ‘influencer’ dhe ‘out-source’ të deklarojnë dhe paguajnë tatimet
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka kërkuar nga qytetarët të cilët ofrojnë shërbime si “freelancer”, “influencer” “out-source”, se janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet dhe kontributet pensionale, në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.
Në njoftimin e lëshuar për medie është thënë se aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqendrohet pikërisht te personat, të cilët nuk i deklarojnë të ardhurat e realizuara dhe nuk paguajnë tatimet dhe kontributet pensionale. “Të gjithë personat të cilët krijojnë të ardhura në Kosovë dhe jashtë Kosovës nga aktiviteti i tyre si ‘freelancer, ‘influencer’ ‘out-source’ etj., janë të obliguar të deklarojnë dhe paguajnë tatimet sipas rregullave mbi objektin e tatimit bazuar në legjislacionin tatimor të Kosovës në fuqi. Kur shërbimi si ‘freelancer’, ‘influencer’ ‘out-source’, etj., ofrohet si i punësuar, të ardhurat nga paga i nënshtrohen tatimit të mbajtur në burim nga punëdhënësi vendor, ndërsa nëse i punësuari gjendet në Kosovë dhe punëdhënësi jashtë Kosovës, atëherë personi përfitues obligohet që individualisht të bëjë pagesën e tatimit dhe kontributit pensional”, ka njoftuar ATK-ja.
Me këtë rast, ATK-ja ka inkurajuar të gjitha kategoritë e lartpërmendura që t’iu përgjigjen në mënyrë të saktë detyrimeve tatimore, në të kundërtën “ATK-ja, do të detyrohet që të ndërmarrë masat ndëshkuese sipas legjislacionit tatimor”.