ATK-ja grumbullon 421.8 milionë euro nga të hyrat e përgjithshme vjetore
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) një muaj para së të mbyllet viti kalendarik ka arritur që të tejkalojë parashikimet e përcaktuara.
Sipas një njoftimi të ATK-së, tek ky rezultat kanë ndikuar përkushtimi dhe qasja profesionale e menaxhmentit dhe të zyrtarëve të ATK-së.
“Deri më 30 nëntor 2018 administrata tatimore ka grumbulluar 94.6 për qind të të hyrave të përgjithshme vjetore, apo shprehur në shifra 421.8 milionë euro. Krahasimi mes periudhave, reflekton rezultatet të cilat kanë tejkaluar objektivat tona. Nëse e krahasojmë periudhën janar-nëntor 2018 me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kemi rritje për 39.9 milionë euro apo 10.4 për qind, ndërsa në raport me planin janë mbledhur 10.7 milionë euro apo 2.6 për qind më shumë të hyra se plani i paraparë. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë arkëtuar mbi 148.3 milionë euro të hyra për Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK)”, është thënë në njoftimin e ATK-së.
Në këtë njoftim thuhet se ATK-ja vazhdimisht është duke zhvilluar aktivitete për të ngritur nivelin e përmbushjes së obligimeve tatimore, përfshirë transparencën në shërbimet ndaj tatimpagueseve, të cilët do të kenë më të lehtë informimin dhe kryerjen e obligimeve në mënyrë vullnetare.
/Epoka e re/