ATK-ja grumbullon rreth 90 % më shumë të hyra tatimore në janar 2024 krahasuar me janarin e 2019-s
Ministria e Financave ka njoftuar se Administrata Tatimore e Kosovës ka grumbulluar rreth 90 % më shumë të hyra tatimore në janar 2024 krahasuar me janarin e 2019-s.
“Bazuar në krahasimin e të hyrave tatimore dhe numrit të tatimpaguesve për periudhën janar 2019 dhe periudhën janar 2024, i bie që Administrata Tatimore e Kosovës ka arritur të grumbullojë mbi 52.3 milionë euro më shumë në janarin e vitit 2024, krahasuar me atë të vitit 2019. Rritje e theksuar vërehet edhe te numri i tatimpaguesve, ku nga 37,459 tatimpagues sa ishin në janar të vitit 2019, numri i tatimpaguesve në janar të vitit 2024 është rritur për 10,658, apo 28%, pra duke arritur numrin prej 48,117 tatimpagues. Kjo tregon se ka më shumë biznese aktive që po paguajnë tatim, pra zgjerim i bazës tatimore. Rritja e theksuar në këta dy indikatorë është rezultat i rritjes se aktivitetit ekonomik, por edhe si rezultat i zbatimit të ligjit dhe rritjes së efikasitetit të Administratës Tatimore të Kosovës në mbledhjen e tatimeve”, ka njoftuar Ministria e Financave.