ATK-ja: Janari me 4.26 milionë euro të hyra më shumë se plani
Si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme për të mbledhur tatimet në përputhje me ligjin, Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar me rezultatet e të hyrave të mbledhura për muajin e parë të vitit 2024.
Në muajin e parë të vitit 2024, ATK-ja ka arritur të mbledh një shumë të konsiderueshme të të hyrave tatimore. Shuma prej 111.22 milionë euro e të hyrave të mbledhura ka tejkaluar pritshmëritë e ATK-së, duke arritur të mblidhen 14.5 milionë euro më tepër se periudha e njëjtë e vitit të kaluar, si dhe 4.26 milionë euro apo 4% më tepër se plani.
Këto rezultate janë tregues i përpjekjeve të vazhdueshme për të forcuar zbatimin e ligjit dhe për të siguruar integritetin, besueshmërinë dhe profesionalizmin në mbledhjen e tatimeve.
Ky sukses reflekton punën e palodhshme të punonjësve të ATK-së si dhe bashkëpunimin e mirë me institucionet e rendit dhe ligjit por edhe me tatimpaguesit.
ATK-ja ka njoftuar se është e përkushtuar në sigurimin e një mjedisi të drejtë dhe transparent për të gjithë tatimpaguesit.
Administrata Tatimore e Kosovës ka falënderuar të gjithë tatimpaguesit për bashkëpunimin e tyre, si dhe i inkurajon ata që të vazhdojnë dhe të deklarojnë e të paguajnë tatimet e tyre në përputhje me ligjin për të kontribuar në zhvillimin e vendit tonë.