ATK-ja lanson projektin kreditimi i TVSh-së

02 mars 2023 | 11:06

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka lansuar të enjten projektin kreditimi i TVSh-së që është i gjashti me radhë në vazhdën e projekteve për përmirësimin e përmbushjes tatimore.

“Përmes këtij projekti planifikohet të përmirësohet përmbushja tatimore e personave të tatueshëm dhe të regjistruar për TVSh, përfshirë të gjithë faktorët e përcaktuar sipas legjislacionit të TVSh-së me ndikim në kreditimin e TVSh-së. Sipas planifikimeve ATK do të kryejë aktivitete intensive me qëllim të identifikimit të personave, të cilët bazuar në dispozitat ligjore nuk deklarojnë saktë kreditimin e TVSh-së”, ka njoftuar ATK-ja.

Administrata Tatimore e Kosovës ka përzgjedhur të trajtojë këtë kategori të tatimpaguesve duke u nisur nga fakti se TVSh-ja në raport me tatimet tjera është tatimi më i rëndësishëm dhe mekanizmi më me ndikim në teorinë dhe praktikën tatimore, përmes së cilit realizohet funksionimi i suksesshëm dhe i qëndrueshëm i sistemit tatimor në vend.

“Andaj, synimet strategjike të institucionit përmes Projektit për Kreditim të TVSh-së janë përmirësimi i përmbushjes tatimore ose rritjen e të hyrave nga TVSh, uljen e hendekut tatimor, të cilat më pas ndikojnë në rritjen e nivelit të përmbushjes vullnetare. Padyshim institucioni çdo herë merr parasysh rekomandimet e dhëna nga FMN në trajtimin e rreziqeve për industritë e selektuara”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Administrata Tatimore e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë personave të tatueshëm që të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor, pasi që në të kundërtën do të ndërmerren masat e përcaktuara me legjislacionin tatimor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Erzeni ka triumfuar në finalen e madhe të Ligës “Gjergj…