ATK-ja: Lejohen lojërat shpërblyese me para të gatshme deri në 1 000 euro
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar të gjitha subjektet, kompanitë, bizneset të cilat merren me organizimin e lojërave shpërblyese, se Ligji aktual Nr. Nr. 04/L-080 për Lojërat e Fatit, konkretisht neni 5, paragrafi 2 dhe 3 i Ligjit nuk i trajton si lojëra fati konkurset (lojërat) shpërblyese që organizohen nga subjektet me qëllime publicitetit, me kusht që pjesëmarrja në lojë të mos inkasohet dhe të mos ketë kosto shtesë, si dhe shpërblimet të jepen në produkte, shërbime ose në para të gatshme duke mos tejkaluar shumën prej 1 000 euro për person.
“Në një situatë, kur Ligji aktual mbi Lojërat e Fatit me datë 10 maj 2019 shfuqizohet me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri Nr. 06/L-155 për Ndalimin e Lojërave të Fatit, atëherë, pas kësaj date Administrata Tatimore nuk ka autoritet për të miratuar rregulla të lojërave shpërblyese dhe zyrtarët e saj nuk do të jenë pjesëmarrës në çfarëdo cilësie në ngjarjet e tilla, që mund të organizohen në të ardhmen”, është thënë në njoftimin e ATK-së.
/Epoka e re/