ATK-ja memorandum mirëkuptimi me ambasadën e Britanisë dhe atë Gjermanisë
Të mërkurën është nënshkruar memorandum mirëkuptimi mes Administratës Tatimore të Kosovës, ambasadës së Britanisë së Madhe dhe ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë.
Me anë të këtij memorandumi synohet që të ofrohet ndihmë për Administratën Tatimore të Kosovës në ngritjen e kapaciteteve në fushën e raportimit financiar dhe analizës së pasqyrave financiare.
Drejtori i ATK-së, Sakip Imeri, gjatë ceremonisë së nënshkrimit ka vlerësuar se ky memorandum do të jetë në funksion të fuqizimit edhe më të madh të kapaciteteve humane në ngritjen e përmbushjes tatimore.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka thënë se është shumë i kënaqur që sot janë së bashku me një qëllim, që ta mbështesim ATK-në në zbatimin e reformave të domosdoshme, por edhe sfiduese.
Ndërsa, ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt, ka shtuar se me këtë memorandum ATK-së do t’i mundësohet zhvillimi i mëtutjeshëm i kapaciteteve të saj.
Është bërë me dije se ky memorandum është në interes të të gjitha palëve, i cili do të reflektojë në përmirësimi e shërbimeve ndaj tatimpaguesve.
/Epoka e re/