ATK-ja ndryshon procedurat e pajisjes me vërtetim tatimor

18 shtator 2023 | 13:39

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se bazuar në Ligjin në fuqi për Administratën Tatimore dhe Procedurat, si dhe në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-176 për Ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin Nr. 05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative, ka nxjerr udhëzuesin me të cilin ka plotësuar/ndryshuar procedurat e pajisjes me vërtetim tatimor.

Qëllimi i këtij udhëzuesi është informimi i personave/tatimpaguesve për procedurat që duhet ndjekur për t’u pajisur me vërtetim tatimor, përgjegjësitë e zyrtarëve të shërbimit dhe edukimit të tatimpaguesve në drejtoritë rajonale për të lëshuar vërtetimin tatimor, si dhe përgjegjësitë e zyrtarëve të teknologjisë informative në ATK për të mundësuar gjenerimin e vërtetimit tatimor.

Pajisja me vërtetim tatimor mund të bëhet në mënyrë elektronike dhe në mënyrë manuale. Tatimpaguesi (biznesi) mund të pajiset me vërtetim tatimor online përmes Sistemit Elektronik EDI apo në zyrën përkatëse rajonale të shërbimit dhe edukimit të tatimpaguesve. Ndërsa personi fizik joafarist (individi) mund të pajiset me vërtetim tatimor online përmes uebfaqes së ATK-së apo përmes linkut https://evertetimi.atk-ks.org/ apo në cilëndo zyre rajonale më të afërt të shërbimit dhe edukimit të tatimpaguesve.

Vërtetimi tatimor për personat fizikë afarist dhe personat juridikë, lëshohet nga ATK-ja vetëm: në rastet kur tatimpaguesi nuk ka ndonjë detyrim tatimor të pashlyer, në rastet kur tatimpaguesi ka obligime të pashlyera, mirëpo është në marrëveshje për pagesë të atij borxhi me këste si dhe në rastet kur personi është i regjistruar në ATK dhe ka borxhe aktuale tatimore të pashlyera, mirëpo, është në procedurë të ankesave në Divizionin e Ankesave.

Ndërsa vërtetimi tatimor për personat fizikë joafarist (individët) lëshohet nga ATK-ja vetëm: në rastet kur personi nuk ka ndonjë detyrim tatimor të pashlyer, në rastet kur personi ka obligime të pashlyera, mirëpo është në marrëveshje për pagesë të atij borxhi me këste, kur personi është i regjistruar në ATK dhe ka borxhe aktuale tatimore të pashlyera, mirëpo, është në procedurë të ankesave në Divizionin e Ankesave si dhe në rastet kur ATK-ja nuk ka shënime për personin. Ky udhëzues do të fillojë të zbatohet 1 tetori i këtij viti dhe dhe i njëjti shfuqizon “Udhëzuesin lidhur me procedurat e pajisjes me vërtetim tatimor” të datës 14 tetor 2020.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Afërdita Thaqi nga Gjakova shpall të pavlefshme diplomën e SH.…