ATK-ja në implementim të projektit “Personat e pasur”
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rikujtuar të gjithë personat të cilët krijojnë të ardhura, se në bazë të legjislacionit tatimor janë të obliguar të deklarojnë dhe të paguajnë saktë detyrimet tatimore.
Bazuar në Planin Strategjik 2022-2026 dhe Planin e Trajtimit të Rreziqeve për vitin 2023, ATK-ja ka hartuar planin e veprimit për të përmirësuar përmbushjen tatimore të personave të pasur lidhur me detyrimet e tyre tatimore për Tatimin në të Ardhurat Personale, të cilat i përcakton legjislacioni tatimor.
Përmes këtij plani, ATK-ja do të kryejë aktivitete me qëllim të identifikimit të personave të pasur, të cilët nuk deklarojnë dhe nuk paguajnë saktë detyrimet tatimore.
Qëllimi i projektit “Personat e pasur” është identifikimi i personave të pasur duke përdorur bazë të të dhënave në formë sistemi/platforme e cila mundëson ndërlidhjen me institucione qeveritare, joqeveritare, financiare me qellim të trajtimit tatimor të kësaj kategorie, rritjen e numrit të deklarimeve dhe pagesës së tatimit nga kjo kategori e tatimpaguesve, si dhe zvogëlimi i hendekut tatimor si rezultat i mos deklarimit të të ardhurave nga personat me të ardhura të larta.
Fushëveprimi i këtij projekti do të jetë i shtrirë në kategorinë e personave si në vijim: Kategoria I – Personi, pasuria e të cilit është mbi 1 milion euro deri në 5 milionë euro; Kategori II – Personi, pasuria e të cilit është mbi 5 milionë euro deri në 10 milionë euro; Kategoria III – Personi, pasuria e të cilit është mbi 10 milionë euro deri në 20 milionë euro; dhe Kategoria IV – Personi, pasuria e të cilit është mbi 20 milionë euro.
Administrata Tatimore e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë personave që të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor, gjegjësisht të deklaroni dhe të paguani saktë tatimin, në të kundërtën do të ndërmerren masat e përcaktuara me legjislacionin tatimor.