ATK-ja njofton për kushtet e faljes së borxheve

02 prill 2021 | 13:42

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka bërë të ditur se për të gjitha periudhat dhe llojet e tatimeve/kontributeve, tatimpaguesit mund të përfitojnë nga falja e ndëshkimeve, me kusht që të njëjtit, të kryejnë pagesën e plotë të tatimit bazë (kryegjësë) dhe interesit deri më 30 qershor 2021

“ Me qëllim të zbatimit të Vendimit Nr. 04/60 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, datë 27.01.2021, për lehtësimin e ushtrimit të aktivitetit ekonomik të të gjithë tatimpaguesve, si pasojë e gjendjes së vështirësuar ekonomike të krijuar nga pandemia Covid-19, Administrata Tatimore e Kosovës, ri-njofton të gjithë tatimpaguesit se mund të përfitojnë nga falja e ndëshkimeve nëse kryejnë pagesën e plotë të tatimit bazë (kryegjësë) dhe interesit”, është thënë në komunikatën e ATK-së.

Referuar kësaj kokumikate, të gjithë personat fizikë dhe juridikë, të cilët kanë obligime tatimore të papaguara ndaj ATK-së, për të gjitha periudhat dhe llojet e tatimeve/kontributeve, mund të përfitojnë nga falja e ndëshkimeve, me kusht që të njëjtit, të kryejnë pagesën e plotë të tatimit bazë (kryegjësë) dhe interesit deri më 30 qershor 2021.

Sipas ATK-së, heqja e ndëshkimeve bëhet për të gjithë tatimpaguesit, nëse:

  • Tatimpaguesit bëjnë pagesën e njëhershme të tatimit bazë (kryegjësë) dhe interesit;
  • Tatimpaguesit bëjnë marrëveshje me ATK-në për pagesë me këste;
  • Tatimpaguesit janë në marrëveshje me ATK-në dhe paguajnë tatimin bazë (kryegjënë) dhe interesin.

Vetëm tatimpaguesit të cilët shfrytëzojnë këtë mundësi dhe përmbushin detyrimin e kërkuar brenda periudhës ligjore deri më 30 qershor 2021, do të përfitojnë nga falja e ndëshkimeve.  “Të gjithë tatimpaguesit, të cilët paguajnë tatimin bazë (kryegjënë) dhe interesin, për të përfituar nga falja e ndëshkimeve obligohen që të vizitojnë Zyrën përkatëse të Shërbimit të Tatimpaguesve apo Departamentin për Menaxhimin e Mbledhjes së Borxheve dhe të plotësojnë dokumentin “Kërkesë për pjesëmarrje në programin për faljen e ndëshkimeve”’, është thënë në komunikatë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashku me…