ATK-ja për 20 vite ka mbledhur 4 miliardë e 707 milionë euro tatime
Në shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës, drejtori i ATK Ilir Murtezaj ka thënë se ATK-ja sot shënon 20 vjetorin e themelimit dhe se përgjatë gjithë këtij rrugëtimi është ndeshur me sfida të mëdha, por në të njëjtën kohë ka arritur edhe sukses të jashtëzakonshëm , të cilat kanë reflektuar në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
“Si rezultat i punës profesionale, me integritet dhe ndershmëri, efektivitet dhe transparencë, ATK për këto 20 vjet ka mbledhur 4 miliardë e 707 milionë euro tatime, dhe 1 miliardë e 797 milionë euro kontribute. Përveç kësaj, ATK ka zhvilluar një strukturë organizative funksionale, e cila në pjesën më të madhe të saj është në harmoni me praktikat më të mira ndërkombëtare”, u shpreh Murtezaj.
Zëvendës ministri i Financave në detyrë Mustaf Grainca, deklaroi se ATK-ja ka rritur integritet të lartë profesional dhe është dëshmuar si institucion kredibil. “ATK është një ndër institucionet me më shumë përgjegjësi kryesore për administrimin e tatimeve që me një detyrë fisnike dhe përgjegjësi të veçantë në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Gjatë këtyre viteve ATK ka arritur nivelin e një institucioni kompetent me integritet të lartë profesional dhe është ngritur në nivel të ngjashëm me administratat moderne ndërkombëtare”, u shpreh Grainca.
Ndërsa, në emër të komunitetit të bizneseve, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka tha se janë të shumta të arriturat e ATK për 20 vjet edhe në aspektin legjislativ, por që kërkoi që të ketë edhe më tej bashkëpunim të ndërsjellë me bizneset në vend. “Kanë ende shumë punë për të bërë për përmirësimin e mëtejmë edhe të raporteve të ndërsjella , natyrisht edhe të rritjes së besimit të bizneseve në Administratën Tatimore të Kosovës. Përpjekje edhe më të mëdha të ATK-së në luftimin e ekonomisë jo formale po ashtu edhe në ofrimin e mekanizmave të pavarur për zgjidhjen e kontesteve që bizneset mund të kenë në ATK dhe në Doganën e Kosovës”, ka deklaruar Zeka.
Nga Zyra e BE-së në Kosovë Hilel Trand, ka thënë se Administrata Tatimore e Kosovës është në rrugë të mbarë për t’u modernizuar dhe se është duke luajtur një rol të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës.
Në fund të ceremonisë së shënimit të përvjetorit të 20-të janë ndarë edhe çmime për kontribuuesit e mbledhjes së tatimeve si dhe për komunitetin e biznesit, ndër ta edhe një mirënjohje për Odën e Afarizmit të Kosovës.