ATK-ja për gjashtë muaj inkasoi 423 milionë euro

07 korrik 2023 | 12:24

Zëvendësdrejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj në një konferencë për medie ka bërë me dije se ATK-ja ka shënuar rritje në të hyrat tatimore për 68 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ai ka thënë se në periudhën janar-qershor të këtij viti të hyrat e grumbulluara nga tatimet janë 423.2 milionë euro, ose 19 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Murtezaj ka thënë se pavarësisht sfidave me të cilat është duke u ballafaquar vendi në fushën e ekonomisë, falë punës së tyre kanë arritur të shënojnë progres në këtë drejtim.

Më tutje, ai ka thënë se ka pasur ngritje të tatimeve të paguara nga këngëtarët.

“Ky sukses është si rezultat i përpjekje të përbashkëta. ATK-ja do të bëjë përpjekje për të garantuar konkurrencë të barabartë në treg. Do t’i përjetojmë rezultat e periudhës gjashtëmujore të vitit 2023. Në periudhën janar-qershor të këtij viti të hyrat e grumbulluara nga tatimet janë 423.2 milionë euro, ose 19 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak”.

“Pagesa e tatimeve nga këngëtarët pasqyron gjendjen se ku kemi qenë dhe ku jemi. Qarkullimi i deklaruar për vitin 2021 ishte 10.7 milionë euro, kurse për vitin 2022 është 20.9 milionë euro, ndërsa tatimet e paguara nga këngëtarët dhe grupet muzikore për vitin 2022 janë afro 2 milionë euro, ku në krahasim me vitin e kaluar kemi rritje të deklarimit dhe pagesave për afro 100 për qind”, ka thënë Murtezaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mediumi i njohur ESPN ka renditur dhjetë trajnerët më të…