ATK-ja për tetë muaj shqiptoi 3.1 milionë euro gjoba ndaj bizneseve
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se nga fillimi i këtij viti deri më sot janë realizuar mbi 25 mijë kontrolle të biznese, me qëllim të parandalimit të evazionit tatimor.
Sipas ATK-së, nga këto kontrolle janë shqiptuar 3.1 milionë euro gjoba. “Për tetë muaj janë realizuar 25 407 aktivitete te bizneset, të cilat kanë rezultuar me 3.1 milionë euro gjoba. Ndërsa janë kryer 166 aktivitete për shmangie tatimore, prej tyre janë hapur 19 raste nën dyshimin e shmangies tatimore”, ka njoftuar ATK-ja.
Më tutje, ATK-ja ka theksuar se këto kontrolle ndaj bizneseve janë nxitur me qëllim që të zbatohen dispozitat tatimore.
“Këto aktivitete janë zhvilluar në linjë me objektivat e përcaktuara në Strategjinë e përmbushjes 2022-2026, ku pavarësisht pjesës së kampanjave sensibilizuese, te të cilat është relevante rritja e edukimit tatimor dhe informimi profesional rreth obligimeve që kanë ndaj institucionit tatimor, ATK-ja është e shtyrë që të zbatoj në përpikëri – dispozitat ligjore për çdo tatimpagues, të cilët nuk i binden thirrjeve të vazhdueshme që ju bëhen që t’i kryejnë me kohë dhe saktë detyrimet tatimore”, ka njoftuar ATK-ja.
ATK-ja ka bërë me dije se ka përmirësuar kapacitetet për të monitoruar të ardhurat tatimore të bizneseve. “Kjo është bërë përmes investimeve në teknologji të reja me ndihmën edhe të partnerëve ndërkombëtarë dhe përdorimit të sistemeve të informacionit për të ndjekur transaksionet tatimore”, ka njoftuar ATK-ja.