ATK-ja prezanton arritjet e vitit 2023
Drejtori ekzekutiv i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka mbajtur konferencën vjetore për medie, me ç’rast fillimisht ka falënderuar mediet për punën profesionale që kanë kryer duke informuar drejtë dhe saktë të gjitha zhvillimet e institucionit.
Ai pastaj ka prezantuar të hyrat e realizuara për këtë vit, ku sipas tij, janë rritur mbi 120 milionë euro më shumë se një vit më parë.
Murtezaj ka thënë se fokus i theksuar këtë vit ka qenë rritja e mekanizmave dhe digjitalizimi i tyre në drejtim të raportimit të rasteve për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe aferave korruptive.
Ai përmendi që në muajin e kaluar janë lansuar tri shërbime të reja elektronike, siç janë: udhëzuesi interaktiv, aplikacioni i denoncimeve, si dhe kalkulatori tatimor.
Tutje, para medieve u prezantua efekti i monitorimit strikt të sektorëve me risk tatimor, siç është gastronomia ku të hyrat e inkasuar janë rritur për 27.2 milionë euro, apo rreth 7 milionë më shumë se viti i kaluar. Trajektorja e suksesit kap edhe pagesat nga këngëtaret, që është 2.7 milion euro nga 1.7 milion euro sa ishte në vitin 2022.
Ndërsa, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se është mbresëlënëse performanca e ATK-së, duke pas parasysh që është viti i tretë që kemi rritje dy shifrore të të hyrave.
Ai ka thënë se arritjet e ATK-së janë përtej planifikimeve ekonomike. “Si ministri jemi duke ofruar mbështetje të madhe me theks edhe në pjesën e Ligjit për administrimin e procedurave tatimore, i cili rregullon shumë segmente të këtij institucioni”, ka thënë Murati.
Ai ka thënë se reflektim i kësaj pune është edhe përmirësimi në pjesën e ndjeshme siç është korrupsioni, evazioni tatimor dhe dukuri të tjera të cilat prekin integritetin e ATK-së.