ATK-ja publikon broshurën “Karta e tatimpaguesit”
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), me qëllim që të njoftojë të gjithë tatimpaguesit lidhur me të drejtat dhe detyrimet e tyre, ka publikuar broshurën “Karta e tatimpaguesit”.
Karta e tatimpaguesit është përgatitur në formë të një udhëzuesi të thjeshtë, gjithëpërfshirës dhe sqarues, për ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme në mes të Administratës Tatimore të Kosovës dhe tatimpaguesve, bazuar në besim dhe respekt të ndërsjellë.
Përmes këtyre marrëdhënieve synohet të rritet përmbushja vullnetare, duke i trajtuar të gjithë tatimpaguesit në mënyrë të barabartë dhe pa paragjykime, duke i qartësuar gjërat sa më shumë që të jetë e mundur, dhe duke qenë transparent e të përgjegjshëm në marrëdhëniet e ATK-së me tatimpaguesin, si dhe në ofrimin e shërbimeve në mënyrë efektive dhe efikase.
“Karta e tatimpaguesit është një udhëzues në të cilin paraqiten të drejtat dhe detyrimet e tatimpaguesit. Andaj, qëllimi ynë është t’i prezantojmë të drejtat dhe obligimet e tatimpaguesve, ashtu që tatimpaguesit të kenë besim në drejtësinë dhe paanësinë e sistemit tatimor, por edhe të jenë në dijeni për implikimin e mospërmbushjes”, ka njoftuar ATK-ja.
Karta e tatimpaguesit është përkrahur nga programi i USAID-it për qeverisje ekonomike në Kosovë.