ATK-ja shënoi 18-vjetorin e themelimit
Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Sakip Imeri, me rastin e shënimit të 18-vjetorit të themelimit të këtij institucioni, ka thënë se ATK-ja ka një rol të rëndësishëm në stabilitetin financiar në buxhetin e Kosovës.
Ai ka thënë se prioritet i ATK-së është përmirësimi i shërbimeve të tatimpaguesve. “Rezultat pozitiv përgjatë këtyre 18 viteve është mbledhja e 5.2 miliardë euro”, ka thënë Imeri.
Ai ka theksuar se ATK-ja është institucioni që ka përgjegjësinë kryesore në administrimin e tatimeve.
Imeri ka thënë se sot ATK-ja ka mbushur 18 vjet të funksionimit të saj, ku gjatë rrugëtimit të saj ka pasur suksese dhe vështirësi.
Imeri ka thënë se Administrata Tatimore është e orientuar drejt ofrimit të shërbimeve të mira, krijimit të aplikacioneve që lehtësojnë përmbushjen vullnetare të tatimpaguesve dhe përsosjen e analizës së riskut. “Në mënyrë të veçantë ka kompetencë që të përdorë forcën e ligjit ndaj atyre që bëjnë evazion fiskal dhe që shmangin pagesën e tatimeve duke rrezikuar konkurrencën e drejtë në treg”, ka thënë ai.
Në këtë përvjetor të themelimit të ATK-së ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se taksapaguesi është njeriu i Kosovës. “Kur ai i kryen obligimet duhet ta ruajë ndjenjën e mirë ndaj publikut dhe institucioneve”, është shprehur Haradinaj.
Sipas tij, Kosova ka shumë potenciale dhe shumë resurse. “Çdo hallkë e sistemit tonë e ka për detyrë të jetë absorbues i investimeve të reja, duke filluar prej atyre të vendit, njëkohësisht edhe të investimeve të huaja”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se ATK-ja ka një mision jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin.
Kurse, ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se kanë arsye për të qenë krenar me të arriturat e deritanishme. “Duhet shprehur vlerësimin tonë për ATK-në dhe stafin e saj që qëllim kryesor ka shërbimet profesionale ndaj tatimpaguesve”, ka thënë Hamza, duke shtuar se nga perspektiva e së ardhmes ATK-në e pret një punë shumë më e madhe, transformimi i saj në një administratë tatimore moderne dhe e orientuar kah bizneset.