ATK-ja shënon 19-vjetorin e themelimit
“Sot në përvjetorin e 19-të të ATK-së falënderova tatimpaguesit e vendit, ata që për gjithë këto vite kanë mbushur arkën e shtetin. Duhet ta keni parasysh dobinë e madhe që keni, në sigurimin e buxhetit, kryerjen e detyrave tuaja dhe orientimin tonë euroatlantik”, kështu ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj në shënimin e 19-vjetorit të themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, pasi ka përgëzuar Administratën Tatimore për arritjet, ka thënë se falë kësaj pune, sot, Kosova është shembull sa i përket stabilitetit makrofiskal dhe kjo është e mundur si rezultat i punës dhe angazhimit shumë të madh të punonjësve të ATK-së.
Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri, ka thënë se Administrata Tatimore e Kosovës është konsoliduar në nivel të një institucioni kompetent, me integritet të lartë profesional dhe modern, në linjë me zhvillimet e përgjithshme ekonomike, teknologjike dhe administrative dhe e krahasuar me administratat tatimore moderne ndërkombëtare.
/Epoka e re/