ATK-ja tejkalon projeksionin e të hyrave, mbledh afër 45 milionë euro më shumë
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) si një ndër institucionet kryesore të mbushjes së buxhetit të Republikës së Kosovës, ka vazhduar edhe më tej në tejkalimin e objektivave të parapara, më theks të veçantë në inkasimin e të hyrave për periudhën janar-shtator 2021.
Janë 44.8 milionë euro apo 11.2 për qind të hyra tatimore të inkasuara për periudhën janar-shtator 2021, të cilat shifra kanë tejkaluar pritshmëritë krahas planifikimeve të parapara.
Më tej statistikat tregojnë që ATK-ja ka punuar me përkushtim në arritjen dhe tejkalimin e parashikimeve, kështu duke arritur që të mbledh në total 447.01 milionë euro tatime, që nëse e krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, atëherë kemi rritje për 110.8 milionë euro apo 33 për qind, si dhe në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019 kemi rritje prej 74.7 milionë euro apo 20.1 për qind.
Një nivel si ky i arritjes së inkasimi të të hyrave, reflekton në zvogëlim të shmangieve tatimore, përfshirje të barabartë në sistemin tatimor të të gjithë tatimpaguesve, ulje të nëndeklaruesve, si dhe përkushtim profesional të stafit të ATK-së në zhvillimin e aktiviteteve sipas hartimit të planeve të punës dhe Strategjisë së Përmbushjes.
Strategji kjo e cila është e orientuar në krijimi e një mjedisi përmbushës, duke lehtësuar procesin e përmbushjes përmes ngritjes së vazhdueshme të cilësisë së shërbimeve për të gjithë tatimpaguesit, të cilët përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre ligjore.
Ndërsa, në anën tjetër zbatimi i forcës së ligjit bazuar në rrezik përmes identifikimit dhe trajtimit të të gjithë atyre tatimpaguesve të cilët hezitojnë apo kanë vendosur të mos përmbushin detyrime e tyre ligjore.