ATK-ja u bën thirrje biznesmenëve t’i deklarojnë tatimet dhe kontributet pensionale

08 qershor 2022 | 14:36

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ua ka rikujtuar personave të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor janë të detyruar të deklarojnë tatimet dhe kontributet pensionale në mënyrë reale.

Sipas njoftimit, aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi do të përqendrohen pikërisht te kategoritë si: nëndeklaruesit e pagave të punëtorëve, nëndeklaruesit tek bizneset e mesme dhe të mëdha, nëndeklaruesit të bizneset mikro dhe të vogla, me qëllim të identifikimit të atyre bizneseve, të cilat nën deklarojnë të ardhurat e tyre.

“Disa nga veprimtaritë si në vijim, nuk zbatojnë këtë obligim, prandaj ATK-ja, u bënë thirrje që të deklarojnë apo korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha obligimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor”, ka njoftuar ATK-ja.

Më tutje ATK-ja ka inkurajuar këto kategori që t’i përgjigjen në mënyrë të saktë detyrimeve tatimore, në të kundërtën do të detyrohet që të ndërmarrë masat ndëshkuese sipas legjislacionit tatimor:

Identifikimi i bizneseve, të cilat nën-deklarojnë pagat e punëtorëve;

Identifikimi dhe trajtimi i bizneseve, të cilat bëjnë nën-deklarim, në veçanti veprimtaritë, si: tregti, shërbime, ndërtimtari dhe prodhim;

Identifikimi dhe trajtimi i bizneseve, të cilat bëjnë nëndeklarim të qarkullimit me qëllim të qëndrimit vazhdimisht në kuotën fikse prej 37.5 euro në çdo 3 muaj;

Identifikimi dhe trajtimi i bizneseve, të cilat bëjnë nëndeklarim të qarkullimit me qëllim të qëndrimit vazhdimisht nën pragun e TVSH-së, veçanërisht bizneset në veprimtaritë, si: tregti, shërbime profesionale, zbavitëse-artistike, prodhim, transport, etj;

Identifikimi i bizneseve, të cilat operojnë me humbje, si dhe bizneseve që deklarojnë me zero;

Identifikimi i bizneseve të cilat ofrojnë furnizime pa të drejtën e kreditimit të TVSh-së, ndërsa në anën tjetër zbresin TVSh-në në blerje;

Identifikimi i bizneseve të cilat importojnë apo tregtojnë mallra me akcizë, të cilët përmes dokumentacionit jo të saktë, respektivisht nënvlerësimit të çmimeve të shitjes, iu shmangen detyrimeve tatimore;

Identifikimi i bizneseve të cilat merren me shitjen e tekstilit dhe veshmbathjeve, të cilat mbajnë dokumentacione jo të sakta me qëllim të shmangies së detyrimeve tatimore;

Identifikimi dhe trajtimi i personave, të cilët nuk bëjnë deklarimin e të ardhurave të ndryshme që ata mund të kenë qoftë të hyrat nga jashtë vendit, të hyrat nga kapitali apo të hyrat tjera, etj.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA Dikush për lisa, dikush…