ATK: Ofruesit e huaj për shërbime elektronike të regjistrohen për TVSH

14 shkurt 2022 | 10:07

Administrata Tatimore e Kosovës njofton se të gjitha bizneset e huaja që ofrojnë shërbime digjitale apo shërbime të furnizuara në mënyrë elektronike e kanë për obligim që të regjistrohen për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në Kosovë.

Sipas legjislacionit në fuqi, për shërbimet e ofruara në mënyrë elektronike ndaj personave jo të tatueshëm, përkatësisht personave që nuk janë të regjistruar për TVSH në Kosovë, të cilët kanë adresën e tyre të përhershme ose zakonisht banojnë në Kosovë, vendi i furnizimit të këtyre shërbimeve konsiderohet të jetë Kosova dhe duhet të ngarkohet TVSH në Kosovë në normën standarde prej 18 për qind.

“Ligji për TVSH-në parasheh një listë të shërbimeve të furnizuara në mënyrë elektronike, që përfshinë shërbimet: Furnizimi i websiteve, web-hosting, mirëmbajtja në largësi e programeve dhe pajisjeve; Furnizimi i software-it dhe freskimi i tij; Furnizimi i figurës, tekstit dhe informatave, dhe vënia në dispozicion e bazës së shënimeve; Furnizimi i muzikës, filmave dhe lojërave, duke përfshirë lojërat shpërblyese dhe lojërat e bixhozit, ngjarjeve politike, kulturore, artistike, sportive, shkencore dhe emisioneve zbavitëse; dhe Furnizimi i mësimit nga largësia”, njofton ATK-ja.

Po ashtu, ATK njofton ofruesit e huaj të shërbimeve të furnizuara në mënyrë elektronike se përmbushja e obligimeve tatimore duhet të bëhet qoftë përmes emërimit të përfaqësuesit fiskal apo përmes regjistrimit të njësisë së përhershme në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e…