ATK: Shkarkohen 10.8 milionë deklarata përmes shërbimit e-Deklarimi
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), njofton që nga lëshimi në përdorim të projektit e-Deklarimi deri më tani janë shkarkuar 10.8 milionë deklarata.
ATK thotë se duke përdorur këtë shërbim, tatimpaguesit dhe qytetarët kursejnë kohën e tyre.
“Që nga lansimi i kësaj platforme elektronike e deri me tani, numri i deklaratave të shkarkuara është 10.8 milionë, ndërsa numri i tatimpaguesve të regjistruar në sistemin elektronik EDI është 98,408. Duke përdorur sistemin elektronik EDI tatimpaguesit dhe qytetarët kursejnë kohën e tyre, si dhe duke marr në kohë shërbimet për të cilat kanë nevojë. Përdorimi i shërbimeve elektronike në ATK, është në dispozicion 24 orë dhe 7 ditë në javë, ku mundësit për të përdorur këtë sistem janë të lehta dhe shumë të thjeshta”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
“Ky sistem mundëson dhe krijon një llogari online të tatimpagueseve me ATK-në, ku mund të plotësohen dhe deklarohen: deklarimin dhe pagesën e të gjitha tatimeve dhe kontributeve pensionale, gjenerimin e fletëpagesës për borxhet e pashlyera që nga viti 2011, pasqyra mbi gjendjen e tatimpaguesit që nga viti 2011, gjenerimin e vërtetimit tatimor për biznese, raportimin e blerjeve mbi 500 euro, caktimin e personit të autorizuar, ndryshimin e profilit dhe fjalëkalimit, kontrollimin e historisë dhe bilancit tatimor, kërkesë për ndihmë, etj”.
/Epoka e Re/