Atleti kenian pezullohet katër vjet dhe i hiqet rekordi botëror
19 nëntor 2019
| 11:36
Atleti 30-vjeçar kenian Abraham Kiptum është dënuar me katër vjet përjashtim nga të gjitha aktivitetet sportive, pasi është konsideruar fajtor nga antidopingu britanik.
Ai ka dalë pozitiv me substanca të ndaluara gjatë një testi antidoping. Edhe pse testi është kryer këtë vit (fillimisht u pezullua 30 ditë, në prill të këtij viti), dënimi do të përfshijë edhe rezultate që janë arritur në vitin 2018. Për pasojë, Kiptum i është hequr rekordi botëror që vendosi në garën e gjysmëmaratonës.
Më 13 tetor 2018 keniani dha kohën 58’18” në garën e gjysmëmaratonës në Valencia, rekord botëror (përmirësoi me pesë sekonda kohën e mëparshme). Gjithsesi, kjo kohë tashmë nuk ekziston më. Dënimi për Abraham Kiptum do të përfundojë në mars të 2023-s.