Atletico, mbret i Evropës
Atletico Madrid është mbreti i ri i Evropës, pasi e mposhti me rezultatin 4-2 rivalin historik, Real Madridin.
Ishin Atletico ajo që kaloi e para në avantazh me Diego Costa, që ende pa nisur mirë loja, shënoi për 0-1. Nuk ka vonuar shumë reagimi i Realit, të cilët barazuan nëpërmjet Karim Benzemas (27).
Presioni i ushtruar nga skuadra e Lopeteguit është shpërblyer, kur në minutën e 62, Sergio Ramos ka shndërruar në gol një 11-metërsh të akorduar nga gjyqtari në favor të Real Madrid, për prekje të topit me dorë në zonë nga ana e Juanfran.
Në minutën e 79, Diego Costa e ka prishur festën e Galaktikëve, duke shënuar golin e dytë personal për rezultatin 2-2.
Golat, spektakli dhe emocionet nuk kanë munguar as në kohën shtesë, përkundrazi kanë qenë në dozë maksimale, por kësaj here me dominim total të Atletico Madrid. Superioriteti i djemve të Simeones është materializuar në të 98, kur Saul ka kaluar Atletico Madrid në avantazh për të dytën herë gjatë ndeshjes, me një gol spektakolar. Atletico shënoi edhe një gol në minutën e 104 me anë të Kokes për rezultatin final 4-2.