Atletico ndalet në Rusi, Moenchengladbachu deklasoi Shakhtarin
Atletico Madrid ngec në të ftohtin rus, duke barazuar 1-1 më Lokomotiw Moscow. Në Ukrainë ndërkohë ligjin e kanë bërë gjermanët e Borussia Moenchengladbach, që triumfuan me rezultatin tenistik 0-6 kundër Shakhtar Donetsk, çka u jep për momentin vendin e parë në një grup me skuadra si Real Madrid dhe Interi.
Rikthehet tek Atletico Madrid, që ishte favorite dhe pritej të triumfonte në Rusi. Skuadra e Diego Simeone e ka gjetur golin që në minutën e 18-të, kur Gimenez i ndëshkoi vendasit. Gjithsesi epërsia nuk zgjati shumë, pasi një prekje e topit me dorë në zonë nga Luis Suarez u konsiderua penallti.
Anton Miranchuk nuk gaboi dhe vendosi baraspeshën. Atletico Madrid u mundua deri në fund të shënonte golin e epërsisë. Dominimi në lojë dhe rastet nuk mjaftuan, pasi Lokomotiv Moscow deri në fund ia doli të mos pësonte golin e dytë dhe mori një pikë kundër një ekipi mjaft të fortë dhe favorit në grup.
Moenchengladbach ka shpartalluar ukrainasit e Shakhtar Donetsk që në pjesën e parë, duke shënuar katër gola. Plea ishte ai që zhbllokoi takimin, ndërkohë që më pas Bondar devijoi një top që u ndal në rrjetën e portës së ekipit të tij.
Vendasit u tronditën, por e keqja sapo kishte nisur. Kur sapo kishin kaluar 25 minuta lojë ishte Plea që lëshoi një goditje të fortë nga jashtë zone, duke realizuar një eurogol që e “vrau” përfundimisht ndeshjen. Në fundin e pjesës së parë, Bensebaini me kokë plotësoi “pokerin” e Gladbah dhe fraksioni i dytë i lojës ishte më shumë një formalitet. Gjermanët si zakonisht nuk lëshojnë dhe realizojnë edhe golin e pestë, me autor Stindl, kurse Plea e pasoi me të gjashtin.