Atletico për përmbysje kundër Chelseat, Bayerni pret të konfirmohet në çerekfinale
Bayern Muncheni pret sonte (e mërkurë) të kualifikohet në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve kur e pret Lazion në ndeshjen kthyese. Në fakt, klubi gjerman e fitoi ndeshjen e parë në “Olimpico” me rezultat 1-4 dhe tash është afër arritjes së synimit, derisa për Lazion duket e vështirë ta arrijë kualifikimin në fazën ku nuk e ka shijuar që nga viti 2000.
Bayerni po në fundjavë arriti fitore ndaj Werder Bremenit (3-1) në Bundesliga dhe tash e pret i qetë ndeshjen ndaj klubit nga kryeqyteti. Lazio është e fokusuar në Serinë A, ku është vërtetuar edhe nga drejtori sportiv i kësaj skuadre, Igli Tare, i cili pranoi se ndeshja e së premtes në Serinë A kundër Crotones vlen më shumë se ajo kundër Bayernit, për faktin se Lazio synon të sigurojë një vend në Ligën e Kampionëve.
Vendësit në këtë ndeshje do të jenë pa Corentin Tolisson, Douglas Costan dhe Tanguy Nianzoun, kurse mysafirët kanë mungesën e Manuel Lazzarit dhe Luis Felipes.
Ndeshje më interesante pritet të jetë ajo që zhvillohet në Londër në mes të Chelseat dhe Atletico Madridit.
Skuadra angleze e fitoi ndeshjen e parë me rezultat 0-1 dhe tash e ka epërsinë e terrenit vendës, por spanjollët që po kryesojnë në La Liga do të përpiqen ta përmbysin rezultatin dhe të kualifikohen në çerekfinale.
Të mërkurën takohen:
Bayern Munchen – Lazio (4-1)
Chelsea – Atletico Madrid (1-0)
/Epoka e re/