ATO, ATO

29 janar 2021 | 08:28

FAHREDIN SHEHU

 

Ato diej, ato hënë, ata shekuj, ato dhimbje, ato humbje, ato vrragë, ato…

 

Ende kësaj toke gjak i vjen era dhe

me gjak e përzier ajo

ndër shekuj…

ata shekuj të palosur si rrasat mezozoike

ata gurë që s’bëzajnë ndërsa bartin

me vete kujtesën ashtu në heshtje

si jetimi teksa pret të ulet në skutin e huaj

ta ndiej ngrohtësinë e babait

të rënë dëshmor

atë të cilin do ta shoh shumë vonë

në fotografinë e varur në murin e odës së pritjes

kur burrat do ta ndajnë drejtësinë dhe kur atë

s’do të ketë kush ta përfaqësojë

ato brazda të thella në korën e trurit do të mbeten

vragë, vragë, vragë e dhembje

me gjak të përzier

me gjak e me eshtra, me eshtra e me dej

të lidhur në nëntë nyje

me dhimbje pleqsh, grash e fëmijësh

me jetë pleqsh, grash e fëmijësh

me diej që përcëllonin lëkurat

e të pafajshmëve

me hënat e zbehta sikur e fytyrëvenitura

nuse ajo e cila pret që dikush t’ia heqë duvakun

nënë më pastaj tek e rrit një fëmijë të lindur

mes dy kodrave

tek përroska kur u ndalën të pinë

ca gllënjka ujë

etjen për ta shuar, nga stërlodhja prej vuajtjesh serike

për t’i harruar dhimbjet e lindjes

sikur këto nuk qenë të mjaftueshme tash

t’i kujtojë dhimbjet e vdekjes

e sa dhemb ky ah…

dhe nga ai qielli ndahet dysh sikur

rrufeja shkrep në korrik që na rikujton

forcën e ndëshkimit

 

(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Blerim Rrecaj (Bekim Muhaxheri, Në zemrën tonë dimri ka mbetur,…